Dhuna dhe natyra njerëzore janë dy temat që udhëheqin komedinë e francezes Yasmina Reza dhe që vënin e saj për herë parë në skenën shqiptare do ta bëjë Kiço Londo. “Zoti i masakrës”, i jep mundësinë shikuesit, të bëhen dëshmitarë të dhunës verbale dhe betejave mes dy familjeve në Parisin modern. Pas një konflikti mes dy fëmijëve, ku njëri prej tyre përfundon me dy dhëmbë të thyer, prindërit përkatës takohen për tu sqaruar.

Ajo që nis si një diskutim mes njerëzve të civilizuar përfundon në një debat të ashpër. Ajo që e joshi regjisorin Kiço Londo, ishte jo vetëm sepse “Zoti i masakrës” është ekranizuar nga i preferuari i tij, Roman Polanski, por sepse autorja demaskon një nga krye të metat e njeriut e veçanërisht të asaj që karakterizon borgjezinë e sotme, hipokrizinë.

Erand Sojli, Ermira Gjata ,Alert Çeloaliaj dhe Ermira Hysaj, janë katërshja e aktorëve të përzgjedhur, për të ngjitur nga sonte në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, veprën e vlerësuar me çmime “Tony” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Angli.

Tv Klan