Kina po çmendet për futbollistët e kampionateve evropiane. Skuadra Tianjin Quanjian, e cila sapo është ngjitur në superligën kineze nga kategoria e dytë, po përgatit miliona euro për dy futbollistë nga Premier League.

Sipas britanikes “The Sun”, ekipi që tashmë drejtohet nga italiani Fabio Cannavarro, me shumën marramendëse do të përpiqet t’i mbushë mendjen Chelseas për të lëshuar Diego Costa. Një muaj më parë kinezët kishin ofruar 60 milionë për futbollistin por oferta u refuzua.

Klubi mbështetet financiarisht nga një kompani e fuqishme farmaceutike. Ardhja e pronarëve të rinj solli një ndryshim rrënjësor në ekip, duke shpenzuar një vit më parë 40 milionë euro në merkaton e dimrit.

Nga ana tjetër, Alexis Sanchez kërkohet nga Hebei China Fortune, që po kërkon të joshë lojtarin me një pagë prej 28 milionë eurosh në vit, më shumë se gjysmë milioni në javë. I njëjti klub ka guxuar t’i bëjë një ofertë multimilionëshe edhe teknikut Arsene Wenger.

Milionat e kinezëve nuk mungojnë, po ashtu edhe rregullat e forta që po vendos federata vendase. Mendohet se do të ndryshojë rregulli i 5 futbollistëve të huaj në fushë. Për të mbrojtur lojtarët kinezë, pritet që rregulli i ri të zbresë në tre, numrin e të huajve gjatë një ndeshjeje futbolli./ TV KLAN