Spitalet psikiatrike nuk kanë kushte të përshtatshme për pacientet, ndërsa shërbimi i mjekut psikiakët në burgje mungon. Në këtë përfundim ka dalë institucioni i Avokatit të Popullit në raportin e fundit, i cili u prezantua në Komisionin e Shëndetësisë gjatë seancës dëgjimore për shëndetin mendor, ku ishte e pranishme zëvendësministrja e Shëndetësisë Bardhylka Kospiri.

Jorida Rustemi, përfaqësuese e Avokatit te Popullit, tha se “Mosrespektimi i hapësirës jetike, kushte të papërshtatshme në dhomat e personave të shtruar dhe mbajtja e tyre për një kohë të gjatë, apo kthimi në rezidentë të Spitalit Psikiatrik. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale kanë bërë disa rregullime, por kjo kategori ngelet e pambuluar një shërbimi adekuat.”

Përfaqësuesit e opozitës, ngritën pretendimin se Shqipëria nuk ka asnjë database dhe të dhëna rreth problemeve të shëndetit mendor, ndërsa deklaruan se instituti i shëndetit publik prej vitesh nuk kryen asnjë kërkim shkencor.

“Është koha që të kemi një regjistër kombëtar të shëndetit mendor. E dini ju që nuk ekziston një qendër rezidenciale ose ditore, ata persona të cilët gjenden rrugëve të Tiranës, ndonjëherë janë edhe të rrezikshëm për komunitetin”, tha Orjola Pampuri.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, e vunë theksin e tyre tek investimet që janë projektuar të bëhen në sistemin spitalor përgjatë këtij mandati./Tv Klan