Transferimi i të dënuarve nga dhomat e komisariateve drejt qelive të burgut ka përfunduar pak ditë para përfundimit të afatit. Këtë e bëri të ditur ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafa, i cili kishte nxjerrë një urdhër në 2 korrik ku kërkonte që deri në 31 korrik të kryhej transferimi i më shumë e 300 të dënuarve me vendim të formës së prerë.

Fatmir Xhafa: “Sot unë deklaroj se mund të deklarohet i mbyllur zbatimi i angazhimit publik për të tërhequr nga paraburgimet të gjithë të dënuarit me vendim të formës së prerë. Ne po bëhemi gati të strehojmë të dënuar në seksionet e reja të burgjeve, që të fillojmë me funksionimin, në Peqin dhe Rrogozhinë, të seksioneve të reja, ndërkohë që presim së shpejti të jetë gati edhe Burgu i Lezhës. Nga ana tjetër, po kërkojmë të sjellim në drejtimin e këtij sistemi njerëz civilë juristë të aftë dhe që kanë ndjeshmërinë e duhur ndaj të drejtave të njeriut.”

Ministri Xhafa e bëri këtë deklarim në konferencën, ku u prezantua plani i partenritetit në fushën e drejtësisë. Ky plan është hartuar me ndihmën e ekspertëve të Bashkimit Evropian dhe me bashkëpunimin e ngushtë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Plani përfshin 17 përparësi, të cilat, më të rëndësishmet janë ato që kanë të bëjnë me përmirësimin e statusit të gjykatësve dhe prokurorëve të funksionimit të inspektoriateve të Ministrisë së Drejtësisë, krijimit të një agjencie përgjegjëse për administrimin e pasurive të konfiskuara, krijimin e një sistemi të përshtatshëm të drejtësisë për të miturit etj. Afati i përmbushjes së këtyre 17 pikave është viti 2007. Prezantimi i këtij plani ka mbledhur në konferencë, veç krerëve të Ministrisë së Drejtësisë edhe autoritete të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrisë së Integrimit, Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë së Përgjithshme, burgjeve etj. /tvklan.al