Të mërkurën Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit për deputetin e PDIU Aqif Rakipi dhe atë të LSI Gledion Rehovica.

Në dokumentin që sektorin për dekriminalizimin pranë organit të akuzës i ka dërguar KQZ pretendohet se të dy deputetët preken nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” pasi në formularin e tyre nuk kanë deklaruar se kanë qenë të dënuar për vepra penale në shtetin fqinje, Itali.

Sipas argumenteve të Prokurorisë, deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi në vitin 1998 në shtetin italian ka kryer veprën penale  të marrjes së mallrave të vjedhura, me emrin Skënder Ejylbegaj.

Ndërsa deputeti i LSI Gledion Rehovica rezulton se në vitin 1999 ka kryer po në Itali veprën penale të vjedhjes së një dyqani, me gjenariletet e Kusta Mina .

Si Rakipi ashtu dhe Rehovica kanë vetëdeklaruar si të padënuar apo arrestuar më parë. Në deklaratat publike të dy deputetët e kanë cilësuar si të pavërtetë akuzën e Prokurorisë, dhe sipas tyre është e motivuar politikisht.

Nëse KQZ do të vendosë për të pranuar kërkesën e Prokurorisë të dy deputet do të zëvendësohen në Parlament nga kandidatët që pasojnë në listat e partive të tyre për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017.

Tv Klan