Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka shtyrë seancën edhe për mandatin e deputetit të PDIU-së Aqif Rakipi, për të cilin Prokuroria e Përgjithshme kërkon heqjen e mandatit në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit.

KQZ vendosi që t’i kërkojë organit të akuzës informacion shtesë për dosjen e deputetit Rakipi në lidhje me dënimin e tij në Itali.

Prokuroria pretendon se deputeti i PDIU-së ka fshehur dënimin në Itali dhe ka përdorur identitetin e rremë Skënder Ejylbegaj.

Deputeti Aqif Rakipi nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e KQZ-së, por përfaqësohej nga avokati i tij Theodhori Sollaku, i cili bëri kërkesën që Prokuroria të sjellë informacion më të detajuar për pretendimet e saj. 

Edhe për çështjen e deputetit Rakipi, KQZ vendosi që data 5 Janar të jetë afati që Prokuroria të dërgojë informacionet shtësë njësoj si në rastin e deputetit të PDIU-së Gledion Rehovica./

tvklan.al