Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu përgjigjën pozitivisht ftesës së bërë nga presidenti i Republikës Bujar Nishani për tu ulur në tryezën e bisedimeve deri në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën politike. Kreu i shtetit ofroi angazhimin e tij në funksion të dialogut.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani po ndjek me shumë shqetësim përmasat që po merr kriza politike në vend. Ndaj edhe njëherë i kërkon Kryeministrit të vendit dhe Liderit të Opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin. Presidenti Nishani ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu.”

Duke iu përgjigjur menjëherë pozitivisht ftesës së Presidentit, kryeministri Rama thotë kriza është vetëm e PD –së.

 “Z.President! Edhe unë jam i shqetësuar për përmasat që po merr kriza e PD! Jam gati t’i përgjigjem thirrjes suaj kaq të vonuar e të ulem me LB”

Në një deklaratë të saj edhe Partia Demokratike tha se e mirëpret ftesën e kreut të shtetit duke akuzuar kreun e qeverisë për situatën.

 “Ndonëse shkaktari i kësaj krize Edi Rama me veprimet dhe qëndrimet e tij ka vendosur interesin e tij vetjak para interesave të qytetareve shqiptare, opozita dhe Partia Demokratike kanë kërkuar gjithmonë rrugën e dialogut të vërtetë dhe jo fasade për tu bashkuar përmes zgjidhjes se ofruar, në luftën kundër krimit, drogës, korrupsionit dhe kthimit te shtetit në garnizon elektoral të pushtetit, që kërcënojnë asgjësimin e zgjedhjeve, demokracisë dhe stabilitetit. Partia Demokratike dhe Koalicioni Opozitar rikonfirmojnë gatishmërinë e tyre duke ju përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Nishani.”.

Burime pranë presidentit Nishani pohuan për Televizionin Klan, se kreu i shtetit ishte i gatshëm ta organizonte takimin mes Ramës dhe Bashës që ditën e sotme, por si Kryeministri ashtu edhe kryedemokrati ishin ne vijim te axhendës se tyre politike. Me shumë gjasa takimi do të mbahet paraditen e së mërkurës. /Tv Klan