Mbledhjes së kabinetit qeveritar me të zgjedhurit e pushtetit vendor, të thirrur në Shkodër nga Kryeministri Rama, i’u bashkuan jo vetëm kryebashkiakët e majtë, por për herë të parë edhe të zgjedhurit e opozitës.

Njëri pas tjetrit, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Hilë Curri, Fisnik Qosja i Kavajës, Rrok Doda i Pukës, Albert Melyshi i Mirditës, Miftar Dauti i Hasit dhe kryebashkiaku i Memaliajt Albert Malaj u ngjitën në stadiumin “Loro Boriçi”, ku po zhvillohet edhe mbledhja e thirrur nga Kryeministri Rama me sloganin “Shqipëria 2030”.

Objektivat për vitin 2024, analizat financiare, projektet e BE-së, burimet njerëzore dhe shërbimet që ofrohen nga pushteti vendor janë në fokus të takimit që ka nisur që prej orës 10:00 të paradites, e që do të mbyllet në orët e vona të pasdites së kësaj të shtune.

Nga takimi me dyer të mbyllura mësohet se pas fjalës së Kryeministrit Rama, ka qenë ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku ai i cili ka analizuar strukturën financiare të burimeve njerëzore dhe të treguesve të performancës, ku Bashkia e Vorës dhe ajo e Kavajës rezultojnë se po përballen me vështirësi të mëdha.

Këto dy bashki duket se kanë më shumë se dy buxhete vjetore borxhe ndaj palëve të treta dhe në këto kushte qeveria përmes Ministrisë për Pushtetin Vendor po diskuton modalitetet se si t’i nxisë, për të shmangur falimentimin e tyre, duke i bërë më aktive në përthithjen e të ardhurave financiare.

Një ndër format e daljes nga kriza me të cilën përballen prej disa vitesh këto dy bashki janë edhe ndihma që qeveria ka menduar përmes subvencioneve, si dhe me politika kredimarrjeje.

Borxhet e bashkive arrijnë në 4.8 miliardë Lekë, ose thënë ndryshe 60% më pak se në vititn 2015.

Mësohet se të ardhurat vendore në vitin 2023 karahasuar me ato të 2015-ës janë rritur 271%, ndërsa detyrimet janë ulur. Sakaq, investimet për frymë kanë një diferencë sipas bashkive me rreth 28 herë.

Sa i përket burimeve njerëzore, mësohet se është analizuar numri i punonjësve për 1000 banorë për të gjitha bashkitë, në aparatet e tyre dhe shërbimet që ofrojnë.

Takimi i sotëm u komentua në rrjetet sociale edhe nga vetë Kryeministri Rama, i cili pas fjalës së mbajtur në nisje të mbledhjes, i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Benet Beci dhe Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferri inspektuan ambientet e jashtme të stadiumit “Loro Boriçi”.

Tv Klan