Pas kërkesës për dorëheqjen e gjithë drejtorëve të Hipotekave, kryeministri Rama paralajmëroi një furtunë largimesh edhe në zinxhirin drejtues të gjithë rrjetit spitalor në vend. Sipas tij krerët e këtyre institucioneve janë përgjegjësit kryesore për gjendjen e spitaleve rajonale dhe ato bashkiake, duke nisur që nga mungesa e  higjenës.

“Drejtorë spitalesh pis…Pastëria nuk ka nevojë as për para, as për infrastrukturë as për plane. Tek niveli i higjienës, pastërtisë, apo gadishmërisë së personelit jemi jo 27 vjet por 270 vjet prapa”,

tha Kryeministri.

Në takimin që zhvilloi në selinë e qeverisë me drejtuesit e spitaleve rajonale dhe ato bashkiake, kryeministri Rama e quajti të papranueshëm menaxhimin që i është bërë këtyre institucioneve dhe kritikoi ashpër neglizhencën e titullarëve për të kërkuar mjekë specialistë.

“Zero kerkesa nga drejtorët rajonalë për mjekët specialist”,

deklaroi Rama.

Apelin për të lënë detyrën, kryeministri ua komunikoi drejtëpërdrejtë të gjithë drejtorëve rajonale, duke përjashtuar nga kjo kërkesë vetëm drejtuesit e spitalit “Nënë Tereza”,  spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe  Spitali të Traumës në kryeqytet.

“Është e qartë që largimi juaj menjëherë nesër nga detyra nuk është zgjidhja e këtij problem, por vetëm fillimi i zgjidhjes. Objektivi është autonomia spitalore, por çfarë autonomie spitalore mund të kemi ne në realitet nëse nuk kemi menaxhim të spitaleve. Spitalet janë ndërmarrje në fund të ditës, nuk janë stalla ku veterinerët ca lopë i shohin e ca jo, sipas humorit të tyre. Nuk drejtohen siç i bihet firzamonikës me vesh”,

u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se me t’u krijuar qeveria e re në shtator, vendimi i parë që do të marrë ministri i Shëndetësisë është hapja e konkursit për stafin drejtues të çdo spitali. TV KLAN