Buxheti i shtetit për vitin 2009 do të jetë 340 miliard lekë ose 5.2 miliard dollarë.

Këshilli i Ministrave ka gati tashmë draftin, i cili është prezantuar në komitetin e planifikimit të strategjive dhe që sipas kryeministrit Berisha do të shkojë në kuvend për t’u diskutuar nga komisionet parlamentare përpara miratimit brenda muajit Shtator.

Sali Berisha: “Ky buxhet rritet krahasuar me buxhetin e fundit të qeverisë socialiste të vitit të tyre me dyfishin. Të ardhurat në këtë buxhet pa llogaritur privatizimet arrijnë në 340 miliard lekë. Krahasuar me këtë qeveri buxheti do të jetë 1 miliard dollarë më i madh.”

Sipas kreut të ekzekutivit në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar dhe rritja e pagave dhe pensioneve.

Këto të fundit në ndryshim nga vitet e kaluara do të rriten në masën 10 deri 20% duke filluar nga 1 Maji i vitit 2009.

Sali Berisha: “Njësia e kësaj rritje që ma diktojnë zgjedhjet pavarësisht se u ndodh fatura, por nuk mund të pres të bëhet kjo rritje në Qershor kur është fushata elektorale se kjo do mund të shfrytëzojë për kritika ndaj qeverisë. Kjo do bëhet më 1 Maj, të cilin e dikton fushata elektorale dhe jo dashuria ime për atë ditë.”

Berisha ka ftuar edhe biznesin privat që të rrisë rrogat e punonjësve. Shtimi i të ardhurave buxhetore për vitin e ardhshëm është i vetmi lajm që ka rëndësi sipas kryeministrit Berisha.

Sali Berisha: “Uroj që këto shifra t’ia përcillni, mediat t’ia përcjellin publikut dhe të mos merren siç po merren Majlinda me pantallonat e shkurtra të kryeministrit që në mënyrë absolute nuk paraqesin asnjë interes. E kanë për majën këtë. Prapë ai s’përbën lajm. Një hobi dhe një miqësi s’mund të përbëjë lajm për mediat. Lajm përbën 1 miliard dollarë më shumë këtë vit se vitin që kaloi”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka