Me të marrë mandatin nga Mbretëresha Elisabeth për krijimin e qeverisë së re, kryeministrja Liz Truss bëri edhe emërimet e para në kabinetin e saj.

Duke bërë një riorganizim të kabinetit të Boris Johnson, Truss ka shpërblyer aleatët e saj kryesorë me poste të larta, citon BBC.

Kuasi Kuarteng do të mbajë detyrën e kancelarit, Xhejms Kleverli është emëruar sekretar i jashtëm dhe Suela Brejvermen zëvendëson Priti Patel si sekretar i brendshëm.

Një nga miket më të ngushta të zonjës Truss, Terezë  Kofi, emërohet si sekretare e shëndetësisë dhe zëvendëskryeministre.

Asnjë nga ata që e mbështetën rivalin e saj Rishi Synak, nuk do të mbetet në kabinetin e saj.

Por sekretari i shtypit i zonjës Truss tha se ndryshimet do të “unifikonin” Partinë Konservatore, ndërsa  vuri në dukje rolet e larta që kanë marrë pesë nga rivalët e saj drejtues: Suela Brejvermen, Tom Tugentat si ministër sigurie, Kemi Badenok si sekretare tregtie, Peny Mordënt si udhëheqëse e Commons ( Komens) dhe Nadim Zahaui si kancelar i Dukatit të Lançasterit.

Për herë të parë, asnjë nga katër “zyrat e mëdha të shtetit” – kryeministri, kancelari, sekretari i brendshëm dhe sekretari i jashtëm – nuk do të mbahet nga një njeri i bardhë.

Liz Truss, kryeministrja e 56-të e Britanisë u zotua në fjalimin e saj të parë të rrisë ekonominë përmes uljes së taksave dhe reformave; të marrë masa për të përballuar faturat e energjisë dhe të vendosë shërbimin shëndetësor në “baza të qëndrueshme”.

Klan News