Për plotë 6 orë anëtarët e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve dëgjuan platformat e kandidatëve që shprehen interes për postin e prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Opozita ashtu siç e kishte bërë të ditur nuk u bë pjesë e këtij procesi që e cilëson si antikushtetues. Por formalisht kolegët e tyre socialist morën  disa minuta pushim në nisje të kësaj seancë dëgjesash, për të marrë një përgjigje zyrtare nga anëtarët e opozitës në këtë komision.

Kandidatët Arqile Koca, Arta Marku, Artur Selmani, Besnik Muca, Ermira Tafani, Ferdinan Elezi dhe Granti Shahu iu përgjigjen pyetjeve të deputetëve, interesi i të cilëve ishte fokusuar kryesisht tek platforma e tyre për të transformuar organin e akuzës, si dhe mekanizmat që ata parashikonin për të shmangur ndikimin e politikës në dosjet e “nxehta”.

Pas kësaj seance dëgjesash anëtarët e maxhorancës në Komisioni i Ligjeve do të marrin në shqyrtim të gjithë dokumentacionin e tyre dhe do të bëjnë një shortlist me kandidatët që plotësojnë kriteret që parashikon ligji. Kjo listë i çohet seancës plenare për votim. Kandidati që do të marrë më shumë vota gjatë votimit të fshehtë do të drejtojë përkohësisht organin e akuzës. Maxhoranca e ka bërë të qartë se për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm do të kërkohet shumicë e thjeshtë.

Votimi për Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm do të zhvillohet në seancë plenare të hënës së 18 Dhjetorit.

Tv Klan