Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shtyjë afatet për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, apo edhe të subjekteve politike. I këtij mendimi është ish kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, i cili thotë se institucioni i ngarkuar me ligj ka për detyrë vetëm zbatimin e kodit zgjedhor dhe jo të marrëveshjeve politike.

Kristaq Kume “E kanë vendos KQZ-në në pozite shumë të vështirë. KQZ është e ngarkuar të zbatojë kodin dhe jo të marrë vendime për dakordësitë e palëve. Të kërkosh është e ndryshme nga të zbatosh. Në qoftë se KQZ vendos mbi bazën e kësaj kërkese politike do prodhoje precedentin e keq ne administrimin  e zgjedhjeve.”

Zgjidhjen për ta mundësuar shtyrjen e afateve Kume thotë se klasa politike nuk duhet ta kërkojë në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por në sallën e parlamentit, aq me tepër kur mazhoranca i ka numrat e mjaftueshëm për të ndërhyrë në kodin zgjedhor.

“Rrugëzgjidhja për ketë që ata duan duhet kërkuar në sallën e parlamentit dhe jo te KQZ. Maxhoranca e sotme e ka fuqinë e kartonave për të ndryshuar kodin dhe ta ndryshojnë afatin nga 60 ditë. Cilado marrëveshje në tavolinën e partive politike do ketë fuqi vetëm nëse reflektohet në kod dhe kushtetutë.”

Ndonëse nuk e mohon se edhe gjatë kohës kur ka drejtuar KQZ-në janë shtyrë afatet për regjistrimin e kandidatëve, Kume thotë ky është një precedent i rrezikshëm i marrë në vitin 1997, tek i cili Shqiperia nuk mund të kthehet sot.

“Ka patur në 97-ën po nuk është normale dhe ai si precedent s’ka pse të përdoret…kam qenë vetë kryetar i KQZ-së, por kjo nuk është normale,  procesi  i zgjedhjeve është procedural dhe si të tilla afatet janë vendosur në kod.”

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në dy raste ne vitin 2004 dhe në vitin 2005 nuk ka pranuar te regjistrojë partitë politike dhe i ka përjashtuar nga garat elektorale, për shkak të mosregjistrimit në afatin e caktuar në Kodin Zgjedhor.

Tv Klan