Serbët do të votojnë për presidentin e ri këtë të diel, më 2 prill. Megjithëse në garë janë 11 kandidatë, kryeministri serb Aleksander Vuçiç, duket se nuk do ta ketë të vështirë fitoren, madje ka shanse që të zgjidhet që në raundin e parë.

“B92” tha se sipas sondazhit të fundi të Demostat-it, Vuçiç vijon të kryesojë bindshëm në garën presidenciale.

Sipas sondazhit 56.2 për qind e të pyeturve thanë se do të votonin për kryeministrin aktual të Serbisë në zgjedhjet presidenciale. Kjo do të thotë se nuk do të ketë nevojë për një raund të dytë në zgjedhje.Vuçiç ndiqet nga Luka Maksimoviç me 9.5 %, Vuk Jeremiç me 9.3 %, Sasa Jankoviç me 8.9 % dhe Vojislav Sheshel me 8.8 %.

Sondashi është kryer me telefon mes datave 21-27 mars kur u pyetën 1200 votues.  

Sipas rezultateve 18 për qind e votuesve janë ende të pavendosur ndërsa pjesëmarrja në votime do të jetë 57 për qind.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta presidenciale në vend që prej vitit 1990. Presidenti i Serbisë zgjidhet për një mandat 5-vjeçar dhe ka të drejtë rizgjedhjeje./tvklan.al