Kujt i duhet e ashtuquajtura mbrojtje ndaj prokurorëve, deri në atë pikë sa të dënohen edhe gazetarët? Liria e medias në Shqipëri mbrohet me ligj, por me një të rënë të lapsit, në mënyrë të fshehtë, tinëzare dhe aspak të denjë për një vend që synon anëtarësimin në BE, shkruhen jo një por dy nene të veçanta, që gjoja për të mbrojtur pavarësinë e prokurorëve, bëhet gati burgu edhe për njerëzit e shtypit e medias.

Pyetjet se kush i shkruajti, kur dhe pse u shkruajtën ato nene, akoma nuk kanë marrë përgjigje, megjithëse opozita u distancua menjëherë, po ashtu dhe njëra pjesë e mazhorancës, LSI-ja.

Por, a kanë qenë ndonjëherë të shantazhuar prokurorët nga shtypi?

Në historinë jo shumë të gjatë të pluralizmit edhe mediatik, të vetmit që nuk e kanë ndjerë presionin dhe trysninë e artikujve, kronikave, komenteve apo editorialeve mediatike në fushën e drejtësisë janë pikërisht prokurorët. Ndoshta edhe për faktin se puna dhe produkti i tyre është më pak i “sulmueshëm”, duke lënë më shumë gjyqtarët në objektivin e komenteve nëse duhej dënuar aq apo më shumë, nëse duhej liruar apo mbajtur në qeli një person i akuzuar.

I vetmi rast në këto vite, që media u mor me një prokuror, ishte Haxhi Giu. Por, edhe në këtë rast pa e fyer apo shantazhuar, pasi ai u arrestua nga vetë kolegët e tij të prokurorisë, madje dhe pamjet e arrestimit u filmuan nga kamerat e trupit të policëve që i vunë prangat.

Pra, nëse në historikun e marrëdhënieve prokurori-media, nuk ka patur asnjëherë raste presionesh, fyerjesh apo shantazhimesh, nëse nuk ka patur edhe një kërkesë të vetë prokurorëve që të shtoheshin këto nene, kujt i interesonte që të rikthente dënimin me burg për gazetarët, me pretendimin se kjo po bëhet për mbrojtjen e prokurorëve speciale ose jo?

Kush po merret si shembull për të patur dy nene në Kushtetutën e re të Republikës që mund të përdoren në çdo moment si kamzhik kundër medias?

Fakt është se asnjë vend demokratik, nuk i ka dhe askush nuk po dënon e arreston gazetarë. Përveç një vendi me të cilin në fakt, thonë se jemi miq dhe vëllezër…

Tv Klan