I vetmi ligj që mori votën e opozitës nga paketa e 6 nismave bazë të Reformës në Drejtësi ishte ai i SPAK -ut, që rregullon funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatave speciale, përgjegjëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas votimit, opozita u largua nga salla e Kuvendit.

Më herët, gjatë seancës plenare Kryeministri Edi Rama e cilësoi hipokrizi votën e demokratëve.

Por ish – Kryeministri Sali Berisha e cilësoi moment historik votimin e ligjit, pasi sipas tij, SPAK-u përmbush standardet ndërkombëtare.

Pas largimit të demokratëve, maxhoranca miratoi e vetme projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, atë për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, projektligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, si dhe projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Me shumicë votash u votua edhe ngritja e Komisionit Hetimor, të kërkuar nga demokratët, për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi, për përdorimin dhe administrimin nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, të pajisjes përgjuese “IMSI Cather: dhe realizimin nëpërmjet saj të përgjimeve të paligjshme.

Tv Klan