Mbi 300 qytetarë të Kosovës që udhëtonin drejt vendeve të Evropës nëpërmjet Serbisë u bllokuan për mbi 10 orë në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë. Ata thanë se iu nënshtruan pyetësorëve për UÇK-në dhe luftën e Kosovës, por për ta kjo ishte hakmarrje pas vendimit të Këshillit të Europës.

“Ç’lidhje ka një djalë i lindur në 2004 me luftën që ndodhi në 1999? Kjo është një çështje politike. Ka të bëjë me politikën”, shprehet qytetari Gazment Zhitia.

“Mendoj se ata thanë se ne presim një lloj verifikimi të pasagjerëve, por mua më duket se kjo nuk ka të bëjë me këtë. Ata janë të inatosur sepse Kosova u pranua në Këshillin e Evropës dhe për këtë arsye marrin hakmarrje ndaj nesh”, thotë Ibush Jashari.

Ata mundën të kalojnë kufirin vetëm pas orës 16:00 të së mërkurës, pasi autoritetet e Kosovës ngritën alarmin tek BE dhe vendet anëtare të QUINT-it.

“Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin “ky është një urdhër nga Beogradi”, deklaroi Fatmir Haxholli, Sekretar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi.

Bashkimi Evropian reagoi me anë të zëdhënësit Peter Stano duke e quajtur shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.

“Ftojmë Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat për ndalim të autobusëve me udhëtarë në kufijtë e saj duke shtuar se vetëm janë forcuar kontrollet kufitare.

Tv Klan