Dërgimi i ligjit të vetting-ut nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese ka përplasur ashpër në Kuvend, Kryeministrin Edi Rama dhe ish – kreun e qeverisë, Sali Berisha. Palët akuzuan njëra – tjetrën se po sabotojnë Reformën në Drejtësi.

“Partia Demokratike i ka shpallur luftë Reformës në Drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit. Ta pengojë refomën në çdo kusht, deri edhe duke sulmuar publikisht edhe Ambasadorin e SHBA, në emër të sovranitetit me të cilin bëri gjithë atë propagandë para 21 Korrikut dhe pastaj erdhën këtu me bisht ndër shalë dhe ngritën kartonin jeshil”,

tha Rama.

“Një Kryeministër që merr përsipër të bëhet zëdhënësi i një Ambasadori, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse Shoku Xhemal. Ju nuk po bëni asgjë tjetër, vetëm po përpiqeni të sabotoni Reformën në Drejtësi. Si e shkelmon Strasburgu vettingun e Edi Ramës. Tre kandidatë që i dërguat në Venecia, i flakën dhe as denjuan me i intervistuar, sepse njëri ishte kunati i Shokut Xhemal, tjetri ishte kunati i Shoqes Xhemile, e i treti ishte ajo mbi tortë. Vettingu i Edi Ramës nuk është gjë tjetër veçse nepotizëm, drogë, lidhje me krimin”,

tha Berisha.

“Duan t’i mbyllin rrugën krijimit të mekanizmave që sigurojnë llogardhënie, efekshmëri, transparencë, dhe mbi të gjitha sigurojnë akses të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Në emër të frikës së tyre që i pret me miratimin e reformës… ”,

u kundërpërgjigj Rama.

“Do iu gëlltisë juve sistemi i drejtësisë për mëkatet dhe krimet që keni bërë. Reforma e tij është sesi të shpëtojë Surrelin, aferën më CEZ –in, lidhjet me krimin, si të shpëtojë nga prokurorët”,

tha Berisha.

“Nuk e morrën ligjin e vettingut ta sillnin këtu dhe të thonin t’i kërkojmë një opinion Komisionit të Venecias, por e morrën dhe e çuan drejtpërdrejt aty ku shpresojnë therrtoren që u duhet, kasapin që u duhet, për t’i prerë kokën reformës”,

u shpreh Rama.

“Jo vetëm në Gjykatë Kushtetuese që do i çojmë, por në mënyrë absolute s’ka forum ndërkombëtar që do i çojmë”,

theksoi Berisha.

Edhe ligji i SPAKU –ut, për të cilin është rënë dakord, i përplasi palët gjatë seancës plenare.

“Duan që të votojnë këtë strukturë për t’u hedhur hi syve njerëzve, se me demek këta janë gati të luftojnë vetveten. SPAK – u nuk ka asnjë shans të ngrihet jo më të funkdsionojë, nëse të gjitha mekanizmat nuk ngrihen të gjitha sëbashku, sepse nuk bëhet vettingu nëse nuk ngrihen këto mekanizma, ata prokurorë mund t’i kapë vetëm Fiks -i e Stop -i. Po nuk u hy gjë në këmbë”,

deklaroi Rama.

“SPAK –u vjen me standardet më të mira, për të cilat ne e votojmë sot. Përsa u përket ligjeve të tjera, nëse ju i çoni të pajtueshme me frymën dhe gërmën e Kushtetutës, ne i votojmë që sot. Përndryshe, ne do të vazhdojmë betejën kundër të gjithë atyre që duan të fusin drejtësinë në xhep”, 

u shpreh më tej Berisha.

Opozita e dërgoi ligjin e vettingut në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se është në kundërshtim me ndryshimet e ligjit themeltar të 21 Korrikut.

Ajo pretendon se me këtë ligj, Drejtësia vihet nën kontrollin e Kryeministrit.

Tv Klan