Për Nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, lista me emrat e personave të implikuar në kultivimin e kanabisit, nuk mjafton.

“Kryeministri e më pas edhe Ministri i Brendshëm, deklaruan se disponojnë një listë me 124 emra të implikuarish në veprimtarinë kriminale të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri! Kaq nuk mjafton”,

tha Rama në një reagim në rrjetet sociale,

 

duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë.

Sipas numrit dy të LSI, 

“si funksionarë të lartë të shtetit ata duhet ta dinë se e kanë për detyrë të veprojnë në zbatim të ligjit duke kryer si hap të parë dërgimin e listës së emrave dhe të të gjithë të dhënave që kanë në Prokurori.”

Ndërkaq, thekson Rama,

Prokuroria nëse nuk e ka bërë, duhet të nisë menjëherë procedurat që ligji e detyron, për hetimin dhe fillimin e çështjes penale për emrat e listës që disponon Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm.

Sipas Nënkryetari të LSI, shteti ka ligje dhe funksionon përmes zbatimit të ligjit.

Një ditë më parë, Kryeministri Rama paralajmëroi një operacion kombëtar të Policisë së Shtetit, me qëllim pastrimin e fenomenit të kanabisit. Ai tha se policia ka informacionin e duhur, ka emra e lidhje të personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. /tvklan.al