Pensionistët, por edhe qytetarët në nevojë tashmë do të kenë mundësi që të kenë një llogari pagesash me shërbime bazike në një nga bankat tregtare në vend. Deniz Deralla, drejtor i departamentit të mbikëqyrjes në bankën e Shqipërisë tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i hapin pa asnjë kosto financiare.

Deniz Deralla: Përfshihen në radhë të parë pensionistët, masa më e madhe e kësaj shtrese të popullsisë. Por edhe gjithë shtresat e tjera të margjinalizuara, duke përfshirë ato që marrin ndihmë sociale, studentët. I vetmi rast ku parashikohet që do ketë kosto, do jetë përdorimi i kartave në banka të ndryshme apo transfertave me jashtë. Çdo lloj tjetër transaksioni do jetë pa kosto.

Me këtë ligj synohet që marrja e pensiove të pleqërisë, por edhe e atyre sociale të kalojnë nëpërmjtë sisitemit bankar, pasi aktualisht një pakicë i merr në bankë.

Deniz Deralla: Numri i pensionistëve apo i gjithë atyre që marrin ndihmë sociale është rreth 730 mijë. Nga kjo masë vetëm 70 mijë i marin format e pensionit nëpërmjet bankës. E gjitha pjesa tjetër e konsumatorëve nuk e kanë këtë mundësi, kështu që ky ligj i ndihmon që të kenë mundësinë ta marrin pensionin përmes bankës.

Sipas Drejtorit të Departamentit të mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, ky ligj nuk i detyron pensionistët të marrin pensionin në bankë.

Deniz Deralla: Ne detyrojmë bankat, pastaj konsumatori për t’u afruar te banka është zgjedhje e tyre. Por nëse janë kufizuar nga fakti që llogaritë bankare kanë kosto dhe ulje te masa e pensionit, sigurisht me këtë ligj nuk është e vërtetë.

Qytetarët që dëshirojnë të përfitojnë duhet të paraqesin pranë një banke tregtare kërkesën për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike. Në rastet kur bankat e nivelit të dytë refuzojnë hapjen e një llogarie bazike Banka e Shqipërisë vendos gjobë nga 50 000 lekë deri në 250 000 lekë.

Klan News