Zyrtarët nuk mund të pranojnë shpërblimet në para dhe dhuratat maksimale të lejuara duhet të arrijnë vlerën e 15 000 lekëve ose një page mujore. Zyrtarët nuk mund të jenë të punësuar apo të kenë aksione dhe vendimmarrje në asnjë lloj kompanie dhe aktiviteti privat, për shkak të konfliktit të interesit. Ky është thelbi i një projektligji, që propozon Lëvizja Socialiste për Integrim, pas shtyrjes së qëllimshme, sipas tyre, të hartimit të këtij ligji nga ana e qeverisë.

“Një pushtetar e ka shumë lehtë të përfitojë në krahasim me një tjetër që nuk ka karrike në administratë në kuadrin e interesave, madje ky është edhe, do të thoja unë, thelbi, kjo mpleksje interesash të karakterit publik dhe privat te figurat dhe protagonsitët e administratës dhe politikës, është thelbi i vetë korrupsionit të një shteti.”

Krerët e shtetit, ligjvënësit, drejtuesit e ekzekutivit, aktorëve të gjithë shkallëve të gjyqësorit deri nënpunës të thjeshtë me kompetenca vendimmarrëse duhet të kontrollohen për konflikt interesi. Inspektoriati i Kontrollit të Pasurive ngarkohet, sipas ligjit, me kontrollimin e konfliktit të mundshëm të interesit. Sipas projektligjit, një zyrtar nuk mund të marrë një vendim që do të kryhet në favor të një të afërmi të ngushtë, që shtrihet deri tek kushërinjtë dhe krushqinjtë. Ligji i LSI-së pritet të diskutohet në komisionet parlamentare gjatë ditëve të ardhshme. /tvklan.al