Do të mbahen në spitale, azile dhe në transportin publik 

Mbajtja e detyrueshme e maskave në ambiente të mbyllura si duket po shkon në histori. Komisioni për sëmundje infektive rekomandoi heqjen e kësaj mase për të gjitha ambientet e mbyllura, në përjashtim të shtëpive të shëndetit, barnatoreve, shtëpive të të moshuarve dhe transportit publik.

“Kushtet momentale na lejojnë të mendojmë për zvogëlimin e masave restriktive dhe u pajtuam të rekomandojmë heqjen e masës, mbajtje e detyrueshme e maskave në ambient të mbyllur, nga kjo masë përjashtohen shtëpitë e shëndetit, shtëpitë për përkujdesjen e pleqve, barnatoret dhe transporti publik. Për këto 4 hapësira të mbyllura mbetet në fuqi mbajtja e detyrueshme e maskës, mbetet e obligueshme, ndërsa në hapësirat e tjera, maska mund të mbahet vetëm sipas dëshirës së individëve”.

Komisioni për sëmundje infektive rekomandon edhe heqjen e ndjekjes epidemiologjike të personave që kanë pasur kontakt me një të infektuar si dhe rekomandimin pasues për izolim të tyre. Por vendimi për izolim të personave që kanë rezultuar pozitiv akoma mbetet në fuqi.

“Rekomandimi i dytë më i rëndësishëm që e sollëm sot ka të bëjë me ndjekjen e kontakteve nga rastet e konfirmuara me Covid-19, hiqet ndjekja epidemiologjike e kontakteve dhe rekomandimi pasues për izolim të kontakteve.  Pra heqja e izolimit bëhet pjesërisht, vetëm për personat që kanë pasur kontakte, ato që janë raste pozitive, Akoma duhet të shkojnë në izolim. Në periudhën në vazhdim do të shohim nëse mund të hiqet edhe kjo pjesë. Por për momentin është herët për këtë gjë.”

Nga Komisioni thonë se relaksimi i këtyre masave nuk nënkupton përfundimin e pandemisë dhe  bëjnë thirrje për kujdes të mëtejshëm, nga atje nënvizojnë se nuk do të ndalojnë as rekomandimet dhe thirrjet për vaksinim. Duke u përgjigjur ndaj pyetjes së gazetarëve lidhur me certifikatat për vaksinim gjatë hyrjes në shtet, nga komisioni thonë se po diskutohet për certifikatat në përgjithësi, por se të gjitha masat do të relaksohen me kujdes dhe hap pas hapi, me qëllim shmangien e destabilizimit të situatës.

Klan Macedonia