Maratona e Këngës në Velipojë do të vijë për të gjithë teleshikuesit e ekranit të Televizionit Klan, sot në orën 21.00.

Plazhi i shkodraneve, por edhe i gjithë shqiptareve, Velipoja, ka qenë stacioni i katërt i Maratonës se Këngës ku mbi 30 artistë kanë ofruar emocione duke kënduar për mijëra pushues, deri në orët e para të mëngjesit.

Falë mbështetjes së Bashkisë Shkodër dhe kujdesit të veçantë të kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi është realizuar kështu, për herë të parë një mega-koncert, një event shumë festiv, një dhuratë që është përjetuar si e tille nga admiruesit e muzikës që ndodhen në Velipojë.

Emra të suksesshëm të artistëve nga e gjithë Shqipëria si: Merita Halili, Gezim Nika, Eranda Libohova, Gjergj Leka, Maya, por edhe shkodranët si Bujar Qamili, Mukades Canga, Rosela Gjylbegu, kanë marrë duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit.

Ndërsa artistë më të rinj si Revolt Klan, Silva Gunbardhi, Alar Band, Devis Xherahu e Alar Band kanë performuar e argëtuar bashkë me të rinjtë që i kanë dhënë jetë sheshit të Velipojës.

Nën moderimin e prezantueses Klea Huta, kaluan thuajse pa u ndjerë rreth 3 orë koncert, ku adrenalina shoqëroi çdo moment të skaletës. Nuk  munguan batutat, fotot e postimet live nga skena, por nuk mungoi as përshëndetja e Kryetares së Bashkisë Ademi.

Maratona e këngës, falë edhe bashkëpunimit me Ad Screen e Frenk’s Light, vjen në këtë edicion të tetë me një format me teknologjik e bashkëkohor, duke ndryshuar edhe markën e formatin e saj, duke sjellë tek publiku jo vetëm këngët popullore e qytetare, por edhe këngët e muzikës së lehtë e hitet moderne, për të qenë pranë të gjithë shijeve muzikore e gjithashtu të gjitha brezave.

Gjithnjë duke patur në thelb, promovimin e vlerave të këngës shqiptare, por edhe vlerave turistike të çdo pike gjeografike në Shqipëri, ku shkon “Maratona e Këngës”./TV KLAN