Shkencëtarët kanë identifikuar atë që mendohet se ishte zvarraniku më i madh detar, një krijesë më e gjatë se 2 autobusë. BBC News raporton se krijesa jetoi rreth 202 milionë vjet më parë së bashku me dinosaurët.

Nofulla e saj e fosilizuar u gjet në vitin 2016 në një plazh në Somerset. Ndërkohë, në vitin 2020, një baba dhe vajza e tij gjetën një nofull të dytë, shumë të ngjashme. Ekspertët tani thonë se fosilet janë nga dy zvarranikë gjigantë “ichthyosaur”, të cilët mund të kenë qenë 25 metra të gjatë.

“Bazuar në madhësinë e kockave të nofullës, njëra prej tyre mbi 1 metër e gjatë dhe tjetra 2 metra, mund të kuptojmë se e gjithë kafsha do të kishte qenë rreth 25 metra e gjatë, afërsisht sa një balenë blu”, ka thënë Dr. Dean Lomax, palentologu në Universitetin e Bristolit që shkroi punimin shkencor të botuar gjatë të mërkurës.

Por, ai thotë se duhen më shumë prova, si një kafkë apo skelet i plotë për të konfirmuar madhësinë e saktë të krijesës, pasi deri më tani janë gjetur vetëm disa copëza. Ichthyosauri gjigant ngordhi si pasojë e një zhdukje masive dhe ichthyosaurët që jetuan më pas nuk arritën më kurrë madhësinë e tij. 

Pamja e parë e krijesës erdhi në vitin 2016 kur gjahtari i fosileve Paul de la Salle po kontrollonte plazhet e Somerset. Ai ka mbledhur fosile për 25 vjet pasi u frymëzua nga fosilisti i famshëm Steve Etches. Duke ecur në plazh me gruan e tij Carol, ai pa atë që doli të ishte gjetja e një jete, kocka e parë e nofullës e njohur e këtij zvarraniku gjigant detar.

Por, shkencëtarëve ju duheshin më shumë prova për të kuptuar se sa e madhe kishte qenë krijesa. Në vitin 2020, babai dhe vajza Justin dhe Ruby Reynolds gjetën atë që po kërkonte Dr. Dean, 10 km poshtë bregdetit në Blue Anchor.

“Isha shumë i impresionuar, me të vërtetë i emocionuar. E dija që pikërisht në atë moment ne kishim një nofull të dytë gjigante nga një prej këtyre ichthyosaurëve masivë,” thotë Dr. Dean.

Zbulimi u dha atyre më shumë prova për të vlerësuar madhësinë e tij. Tani ata kanë arritur në përfundimin se kafsha e madhe është një specie e re e ichthyosaurit, të cilin e kanë quajtur Ichthyotitan severnensis./tvklan.al