Mohon Grenell

Një lajm në media se Presidenti Aleksandër Vuçiç i është vënë përpara një dokument për ta firmosur njohjen reciproke, ka sjellë reagimin e të dërguarit të posaçëm Richard Grennell, i cili ka mohuar çdo gjë.

“Nuk është e vërtetë”, shkruan Grenell në Twitter ndërsa bashkangjitur ka vënë edhe linkun përkatës të medias.

The Pavlovic Today e korrespondentes në Shtëpinë e Bardhë, Ksenija Pavlovic McAteer, shkruante se nga burimet e saj pranë presidencës serbe, Vuçiçit i ishte vënë përpara një dokument ku supozohej të njihte pavarësinë e Kosovës.

“Numri 10 në dokument thekson: Të dyja palët duhet të angazhohen në njohje reciproke, të mbrojnë minoritetet etike, kthimin e pronave, zgjidhja e statusit të individëve pa shtetësi dhe pranimi për të hapur zyra që do të mbrojnë dhe raportojnë çdo vit të drejtat e minoriteteve”, shkruante ajo, ndërsa më poshtë theksonte se i qëndronte versionit të saj.

Mikpritës të këtij takimi mes Kosovës dhe Serbisë janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike./tvklan.al