Mbështetje për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Në këto takime që Shefi i Diplomacisë Franceze JeanYves Le Drian zhvilloi në Athine u diskutuan përparësitë e presidencës së ardhshme franceze të BE-së që nis me 1 Janar.

Për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Kryediplomati Dendias dhe homologu i tij francez shprehën pakënaqësinë për ritmet e procesit të integrimit në BE. Të dy ministrat ranë dakord t’u dërgojnë vendeve që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së një mesazh mbi perspektivën e tyre evropiane.

Kryediplomati grek Dendias tha se ai mbështet fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përpara fundit të këtij viti. Në këto takime Kryeministri Mitsotakis dhe Ministri i tij i Jashtëm Dendias patën rastin që të provojnë njohuritë e tyre në gjuhen frënge duke përcjellë një mesazh për çështjet që kanë të bëjnë me Mesdheun, me theks në sigurinë dhe stabilitetin e ketij rajoni.

Sipas tyre vendet anëtare të BE-së duhet “të ndjekin shembullin e Francës dhe të mos furnizojnë me armë shtete si Turqia që kërcënojnë me luftë, veçanërisht kur këto kërcënime sipas tyre drejtohen kundër vendeve të tjera të BE-së. Komentet e zyrtareve greke shihen si një kritikë ndaj Spanjës, Kryeministri i së cilës Sancez zhvilloi bisedime me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Pala greke nënvizoi lidhjet e shkëlqyera të përjetshme mes Greqisë dhe Francës duke iu referuar posaçërisht Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik.

Klan News