Kur në sallën e Kuvendit votohej për Gramoz Ruçin si kryetar i parlamentit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta shpalli dekretin që emëronte Edi Ramën si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Po me të njëjtën shpejtësi ka ardhur dhe falënderimi i kryeministrit në adresën e Kreut të Shtetit, ndërsa lëshon sinjale se komunikimi institucional mes tyre do të ketë një rrjedh normale dhe të pandërprerë.

Po të njëjtat sinjale për bashkëpunim Rama dha dhe në sallën e parlamentit ku nuk munguan shtrëngimet e duarve mes tij dhe Lulzim Bashës, por dhe mes këtij të fundit dhe kryeparlamentarit të ri.

Qëndrimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin e nisur me marrëveshjen e 18 Majit Rama e përforcoi me një deklaratë jashtë sallës së Kuvendit në një prononcim përpara gazetarëve.

Pasi u mandatua nga presidenti për të formuar qeverinë e re Edi Rama të hënën do të kërkojë miratimin e parlamentit për kabinetin e tij të bërë publik prej 2 javësh tashmë, ndërsa po në të njëjtën seancë do të prezantojë dhe programin qeverisë për 4 vitet e ardhshme.

Tv Klan