Pas disa sulmeve me anë të deklarateve në distancë mes tyre, e gjithë vëmendja në mbledhjen e Komitetit Kombëtar Drejtues të Partisë së Lirisë, u fokusua te përplasja e parë mes Ilir Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Monika Kryemadhi i bëri një pritje të veçantë Metës, për të cilin pati shprehur se ka një ngrirje të marrëdhënies mes tyre. Në bluzë mbante një mesazh: “Ja ku jam”.

Kryemadhi në fjalën e saj kundërshtoi propozimin e mbrojtur nga Meta që nuk lejohen dy persona nga një familje në strukturat drejtuese të partisë, duke aluduar se kjo po bëhet për spastrime.

Monika Kryemadhi: Partia e Lirisë në këndvështrimin tim nuk ka nevojë për prerje kokash.

Por Ilir Meta është vendosur për të miratuar këtë sanksionim në statut.

Ilir Meta: Më 27 Prill ekzekutojmë nepotizmin. Askush nuk ka të drejtë të bëjë viktimën. Ekzekutojmë fenomenin. Nuk mund të jetë më family biznes. Nuk mund të ketë dy njerëz në një kryesi nga një familje. Kjo nuk do të thotë se u dashka të ikë Monika, mund të ikë Ilir Meta. Kjo zgjidhet me votim.

Kryemadhi sakaq shpreh keqardhjen për Metën se si e kanë nisur drejtimin e Partisë së Lirisë.

Monika Kryemadhi: Kam dhimbje kur shoh se si shkërmoqet imazhi i Ilir Metës, kryetari i partisë, nuk është administrator godine.

Ndërsa ky i fundit i kundërpërgjigj: Nëse një grua ankohet se është viktimë e burrave në politikë, është viktimë e një palaçoje siç është Lulzim Basha që gënjen për orën.

Por si Kryemadhi, ashtu dhe Meta bashkohen te hetimet që po kryen SPAK.

Monika Kryemadhi: Nuk më rru*et fare, as për burgun dhe as për SPAK-un.

Ilir Meta: Për SPAK-un kam këtë mesazh, Ilir Meta është këtu dhe do të jetë gjithmonë këtu.

Ndryshimet në statut do të votohen në Konventën e 27 Prillit, ku Kryemadhi bëri të qartë se do të kërkojë propozimet e saj kundër asaj që cilësohet si nepotizëm të hidhen për votim.

Tv Klan