Situata politike në vend, avancimi i reformës në drejtësi si dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit ishin në qendër të takimit që Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi me bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Meta theksoi se situata aktuale politike në vend kërkon përgjegjshmëri nga të gjithë aktorët.

Sipas tij duhet transparencë maksimale për zbatimin e besueshëm të reformës në drejtësi dhe në veçanti të ligjit të Vetingut, implementimin e procesit të dekriminalizimit si dhe garantimin e standardeve më të larta bashkëkohore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të qershorit.

Kreu i kuvendit u shpreh se vendi ka nevojë për një klimë konstruktive e të përgjegjshme politike që rrit kredencialet demokratike të Shqipërisë dhe përshpejton hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Tv Klan