Kryetari i LSI-së, Ilir Meta mori pjesë në një bashkëbisedim me të rinjtë e Fierit që studiojnë në gjimnazet profesionale. Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë fierakë në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e një autoservisi, Meta theksoi se është mjaft e rëndësishme, që të përmirësohen kurrikulat e arsimit në përputhje me kërkesat e tregut të punës në mënyrë që të garantohet një formim profesional të gatshëm për tregun e punës.

“Është mjaft e rëndësishme për të ardhmen, të përmirësojmë kurrikulat në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të shtojmë praktikat në ambientet e punës. Kjo është mjaft e rëndësishme për të fituar dije të zbatueshme në praktikë, menjëherë sapo përfundojmë shkollën e mesme, një kurs profesional, apo një shkollë 2-vjeçare të lartë profesionale”

.

Krahas kësaj, Meta u ndal edhe tek programi i LSI-së, “Mëso dhe Fito”, që do të garantojë për të rinjtë fitimin e njohurive të duhura për një punë dinjitoze dhe të mirëpaguar.

“Një program tepër i veçantë në programin tonë si LSI është programi ‘Mëso dhe Fito’. Që do të thotë të mësohet për të fituar njohuritë e duhura në mënyrë që secili të fitojë një punë dinjitoze dhe të mirëpaguar në të ardhmen që t’i shërbejë familjes së tij të sotme, por edhe familjeve tuaja të reja, sepse do të krijoni familjet tuaja në të ardhmen. Dhe për këtë familja e madhe dhe që rritet çdo ditë, LSI dhe LRI do të bëj çdo gjë që t’ju mbështes juve”,

theksoi Meta duke shtuar se nuk mund të ketë punë më të denja dhe më të mirëpaguara pa një investim më të madh, sa i takon arsimit profesional:

“Motoja e LSI, arsim për punësim, është shumë vendimtare dhe praktike, ndaj jemi shumë të kënaqur edhe për këtë ide tuajën, këtë tryezë për arsimin profesional dhe për mbështetjen e tij. Sa i takon arsimit profesional, pa krijuar baza laboratorike, pa krijuar ambiente të mësimit të tilla, të cilat e bëjnë çdo të ri të ndjehet zot i dijeve të veta dhe në këtë drejtim unë përshëndes këtë punë që ju po bëni, këtë angazhim tuajin dhe ju siguroj për mbështetjen tonë më të plotë dhe më të madhe. Vetëm një rini e aftë, një rini e zonja do të jetë në gjendje vërtetë t’i dalë për zot të ardhmes së vendit dhe të shoqërisë për një brez të ri, për një gjeneratë të re”.

/tvklan.al