Ilir Meta nuk imagjinon që zgjedhjet të jenë pa opozitën. Në një intervistë për emisionin Opinion të fokusuar në  jetën personale dhe karrierën e tij politike, presidenti i zgjedhur tha se duhet bërë çdo gjë për të parandaluar një skenar të tillë.

“Asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje kjo gjë dhe çdo ditë kam punuar dhe do të punoj dhe do të përpiqem, nuk e di ç’mund të bej që kjo gjë të mos ndodhë. Vendi ka pësuar një dëm të madh në imazh dhe mund të jetë një dëm më i madh dhe katastrofik në rast se kjo gjë nuk parandalohet. Kështu që duhet të bëjmë çdo gjë në këtë drejtim”.

Edhe zgjedhjen e tij si president thotë se e pranoi në funksion të stabilitetit të vendit, pas dështimit të negociatave me përfaqësuesit e Parlamentit Europian, ku ai propozoi që posti i kreut te shtetit të ishte pjesë e paketës që do t’i ofrohej opozitës.

“Në rast se ne nuk do të kishim bërë këtë zgjidhje ditën e premte, situata mund të ishte e tillë që ose PS do detyrohet të vendoste një President që mendonte ajo. Ky veprim që unë bëra ishte një investim për stabilitetin dhe për demokracinë në vend për 5 vitet që vijnë. Cili do të jetë efekti i tij? Këtë do ta shohim”

.

Intervista në Opinion ishte një rrëfim për jetën e tij nga fëmijëria, eksperiencat si futbollist, peshëngritës dhe komentator sporti deri tek hyrja në politikë dhe zgjedhja në parlament si kreu i ardhshëm i Shtetit.

Tv Klan