Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta, i shoqëruar prej Kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme  Arta Dade, zhvilluan një takim me Kryetarin e Bashkisë së Vjenës Michael Häupl.

Kryetari i Bashkisë  Häupl shprehu mbështetjen e tij për politikat urbane dhe zhvillimore të Shqipërisë, duke vënë në dukje se qytetet janë vendet ku komunitetet urbane jetojnë. Në këtë drejtim, u shpreh Häupl, Vjena do të ofrojë mbështetjen e saj.

Meta e cilësoi rolin drejtues të Häupl në krye të Bashkisë së Vjenës që prej vitit 1994 si historik dhe theksoi se jo vetëm Tirana por edhe qytetet e tjera të Shqipërisë mund të përfitojnë prej eksperiencës së gjerë austriake të menaxhimit urban, me qëllim rritjen e standardeve evropiane të qyteteve tona.

Ai shprehu mirënjohjen për vëmendjen e Bashkisë ndaj komunitetit cilësor shqiptar që studion e punon në Vjenë dhe bëri edhe një vlerësim të veçantë për politikat sociale të Partisë Social Demokrate Austriake (SPÖ) të cilat i kanë shërbyer rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Vjenës.

Në përfundim, Meta dhe  Häupl dhanë një prononcim për shtyp:

 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta:

Ishte kënaqësi e veçantë për t’u takuar me kryetarin e Bashkisë së Vjenës, Häupl, pasi ai vërtet ka bërë një histori të gjatë të suksesshme të këtij kryeqyteti aq të dashur për të gjithë shqiptarët, por jo vetëm.

Duke qenë për një kohë të gjatë një nga kryeqytetet me të cilësinë më të lartë të standardeve të jetesës në Evropë dhe në Botë.

Por Vjena është një kryeqytet jashtëzakonisht i dashur për të gjithë shqiptarët sepse që nga dita e parë e pavarësisë sonë e deri më sot ajo ka qenë një mbështetëse e jashtëzakonshme e aspiratave të shqiptarëve për pavarësi, për liri dhe për integrim evropian.

Ne jemi shumë të lumtur që në Vjenë jeton një komunitet mjaft cilësor i qytetarëve tanë, por njëkohësisht kemi qindra student që studiojnë këtu dhe janë me mijëra të tjerë që kanë përfunduar studimet dhe një pjesë e mirë janë kthyer në vendin tonë.

Me këtë rast i kam shprehur mirënjohjen edhe kryetarit të bashkësi z. Häupl për kujdesin që ai dhe bashkia kanë treguar ndaj këtij komuniteti që ndihet mjaft i integruar këtu.

Dhe shpresojmë që shumë shpejt kryetari i bashkisë së Vjenës Häupl të vizitojë Tiranën dhe Shqipërinë për të çuar në nivele të reja edhe bashkëpunimin me kryeqytetin tonë por edhe me qytete të tjera në vendin tonë që Vjenën e kanë një model.

 

Kryetari i Bashkisë së Vjenës Michael Häupl

Faleminderit Kryetar i Kuvendit për këtë vizitë në Bashkinë e Vjenës, dhe është një nder i madh t’ju mirëpresim këtu.

Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me shqiptarët që jetojnë në Vjenë. Ata janë një komunitet me mjaft vlera në shoqërinë e Vjenës dhe marrëdhënia me ta nuk është vetëm bashkëpunuese, por edhe mjaft miqësore.

Për ne integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm, por edhe i Ballkanit Perëndimor dhe qytetet e Shqipërisë janë një urë lidhëse në këtë proces.

Nga njëra anë ne jemi të angazhuar që të bashkëpunojmë me qytetet e Shqipërisë në termat e bashkëpunimit vendor, nga ana tjetër ne duam të bashkëpunojmë për përmbushjen e të gjitha kritereve që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së./

tvklan.al