Kryeparlamentari Ilir Meta është duke zhvilluar një vizitë në Helsinki, ku është pritur në një takim nga kryetari i Komisionit për Mbrojtjen në Parlamentin e Finlandës, Ilka Kanerva, të cilit i ka dorëzuar dhe dekoratën “Për merita të veçanta civile”, të akorduar nga Presidenti i Republikës, Nishani.

Ish-Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Kanerva e vlerësoi një nder të veçantë dekoratën e presidentit Nishani, që i jepej me motivacionin “Për kontributin e tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Finlandës, por dhe për ndihmesën ndaj bashkësisë shqiptare që jeton atje”.

“Ju falënderoj nga thellësia e zemrës, është nder i madh për mua të marr këtë titull nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Mund të them me bindje të plotë se marrëdhëniet midis Finlandës e Shqipërisë janë vërtetë të mira. Sigurisht ka ende mundësi për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe kontaktet institucionale. Shpresoj që së bashku të mund të kontribuojmë në intensifikimin e bashkëpunimit tonë dhe në objektivat e përbashkëta në skenën ndërkombëtar”.

Gjatë qëndrimit në Finlandë, kryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua edhe me Ministrin e Jashtëm të Finlandës,  Timo Soini dhe ish – Presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.

Tv Klan