“E dashur Monika, dëgjova me habi prononcimin tënd kundër praktikës së re të maturës shtetërore”,

me këto fjalë i është drejtuar Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Monika Kryemadhit pas deklaratave të saj për arsimin e lartë.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Nikolla thotë se mirëkupton çdo kritikë, megjithatë ajo thekson se praktika e re e maturës shtetërorë është fryt i një pune të përbashkët, përshirë LSI -në. Madje Ministrja shprehet se ka qenë vetë Kryetari i Kuvendit që ka ndihmuar për zhvillimin e një debati të brendshëm konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit.

“E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për Maturën Shtetërore. Praktika e re e Maturës Shtetërore që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë dhe LSI-në. Jo vetëm kaq, po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit”.

Më tej, Nikolla thekson se asgjë nuk është perfekte, por ajo i lutet Kryemadhit që të mos cënojë arritjet e përbashkëta për disa vota më shumë në 18 Qershor.

“Asgjë nuk është perfekte dhe gjithçka është e përmirësueshme, padyshim edhe kjo praktikë e re dhe e suksesshme. Por të lutem sinqerisht, të mos cënojmë arritjet tona të padiskutueshme për disa vota më shumë në 18 qershor. Sepse votat kanë rëndësi për partitë, por mostrazimi i nxënësve që po përgatiten për Maturën Shtetërore të këtij viti dhe i prindërve të tyre, ka rëndësi për të gjithë ne, pavarësisht partive. Miqësisht, Lindita”.

Në takimin që pati ditën e sotme me të rinjtë e Lezhës, Monika Kryemadhi e akuzoi Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla si njeriun që cënoi të ardhmen e vendit, duke cënuar ëndrrat e shpresat e maturantëve me reformën në arsimin universitar./tvklan.al