Agjensia ndërkombëtare e vlerësimit të aftësive kredituese Moody’s rikonfirmoi vlerësimin me notën “B1” për obligacionet e qeverisë shqiptare.
Në raportin periodik, kjo agjensi vlerëson se perspektiva e ekonomisë shqiptare është “e qëndrueshme”.
Moody’s përmend disa arsye kryesore që çuan në një vlerësim, që konsiderohet si pozitiv për ekonominë shqiptare.
Të tilla janë masat e konsolidimit fiskal nga administrata e re, sipas marrëveshjes së arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që synojnë përmirësimin e performancës fiskale.
Statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, sipas Moody’s është një tjetër faktor pozitiv që pritet të imponojë realizimin e reformave institucionale dhe që do të jetë një faktor i rëndësishëm për thithjen e investimeve të huaja direkte.
Moody’s thekson se pagesa e detyrimeve të prapambetura për bizneset do të rrisë defiçitin fiskal për 2014 në 6.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Por në anën tjetër do të ndihmojë në lehtësimin e kushteve të kreditimit, duke u mundësuar kompanive të ripaguajnë huatë bankare, një faktor ky mjaft i rëndësishëm në qarkullimin e kapitaleve.
Moody’s parashikon rritjen e borxhit publik në 74% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por raporti parashikon rënien graduale duke filluar nga viti i ardhshëm.
TV KLAN