4 ditë pas vendimit të qeverisë shqiptare për dëbimin e Sekretarit të parë të Ambasadës Ruse në Tiranë, Aleksey Balashov dhe Atasheut ushtarak Vladislav Filippov, Moska i është kundërpërgjigjur Tiranës zyrtare me të njëjtën monedhë. Dy zyrtarë të stafit diplomatik të Ambasadës Shqiptare në Moskë, Albert Jerasi dhe Arben Doçi, njëri Zv/Ambasador dhe tjetri Këshilltar, duhet të lënë kryeqytetin rus dhe të kthehen në Shqipëri.

Vendimi i është bërë i ditur ambasadorit tonë atje Arben Mazioni, i cili u thirr në Ministrinë e Jashtme ruse këtë të premte. Atij iu dorëzua nota e protestës që parashikon zbatimin e masave të reciprocitetit. Kjo nënkupton largimin brenda një jave të dy nga tre diplomatëve shqiptarë që shërbejnë në misionin tonë diplomatik në Rusi. Me largimin e Jersasit dhe Doçit, Ambasada Shqiptare në Moskë do të përfaqësohet vetëm në nivel ambasadori.

Ministria e Jashtme ruse ka publikuar në faqen e saj 23 vendet që do t’i nënshtrohen reciprocitetit për dëbimin e diplomatëve, mes të cilëve edhe Shqipëria. Në deklaratë thuhet se Moska shpall persona non grata të njëjtin numër diplomatësh, të cilët punojnë në misione diplomatike në Rusi, në përgjigje të dëbimeve të pajustifikuara të diplomatëve rusë, bazuar në akuzat pa prova të Britanisë së Madhe ndaj Rusisë lidhur me rastin “Skripal”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare, që nuk e quan surprizë vendimin e Moskës.

“Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury.  Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të  marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”,

thuhet në deklaratën e qeverisë shqiptare.

Numri total i diplomatëve perëndimorë që do të dëbohen nga Rusia është 150, mes të cilëve 60 zyrtarë të Ambasadës Amerikane.

Tv Klan