I pranishëm në shpërndarjen e ndihmave për familjet e prekura nga moti i keq në Luf të Pukës, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se qeveria po bën gjithçka mundet për të ndihmuar personat e prekur.

Ai u shpreh i ndërgjegjshëm që nuk është aq sa duhet, aq sa ka nevojë, por tha se sigurisht është shumë më shumë krahasuar me harresën e viteve të kaluara.

Ministri tha se vetëm këtë javë janë shpërndarë nga Rezervat e Shtetit dhe nga Emergjencat Civile mbi 42 tonë ushqime për familjet në nevojë, megjithatë sipas tij nuk është aq sa duhet.

Tahiri theksoi gjithashtu se kjo qeveri nuk i ka kthyer krahët njerëzve dhe nuk i ka lënë në harresë në fatin e tyre. Ai u shpreh se i gjithë shteti është në këmbë, të gjitha burimet njerëzore, të gjitha mjetet e buxheti janë në ndihmë të njerëzve.

///

Fjala e plotë:

Ju falenderoj në radhë të parë ju. Këto janë ditë të vështira. Të vështira për çdo familje, veçanërisht në zonat e thella të Shqipërisë, të cilat për shkak të motit kanë vështirësi më shumë.

Dua të falënderoj deputetin i cili ka qenë shumë këmbëngulës me Kryeministrin, me të gjithë ministrat e qeverisë, e po kështu dhe Kryetarin e Bashkisë dhe Prefektin, të cilët kanë këmbëngulur vazhdimisht që t’i gjendemi pranë çdo familjeje në nevojë. Pra t’ju gjendemi ju për t’ju ndihmuar në radhë të parë të mos ndjeheni vetëm, në radhë të dytë që të keni shtetin në krah për të përballur këto ditë të vështira.

Kapriçot e motit mund t’i përballojmë vetëm duke u bërë bashkë dhe duke iu gjendur njeri-tjetrit. Kuptohet që kjo është një zonë që ka çdo vit vështirësi për shkak të motit. Por këto kohë ju dhe çdo familje në këtë zonë ka dhe ndihmën e shtetit. Ndaj është detyra jonë të jemi solidarë me ju, t’ju gjendemi, t’ju ndihmojmë me sa kemi mundësi. Dhe kjo është mënyra më e mirë për të justifikuar besimin tuaj.

Kjo është mënyra më e mirë për të justifikuar besimin tuaj. Është shumë e rëndësishme edhe ju të kuptoni që jo të gjitha i bëjmë dot kollaj. Pra, nuk kemi mundësi aq sa duhet për të bërë gjithçka ka nevojë kjo zonë. Është e vështirë me të gjithë kapacitetet po punojnë, por është e vështirë për të hapur çdo rrugë. Përfshirë këtu, nuk kam parasysh rrugët kombëtare se ato janë të hapura, por kam parasysh rrugët më të largëta rurale.

Është e vështirë, por po mundohemi. Qeveria vetëm vjet ka akorduar për të gjithë zonën rreth 6 milionë euro për zhbllokimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre. Janë një vlerë e konsiderueshme, por që ende nuk mjaftojnë për t’i zgjidhur siç duhet këto probleme. Ndërkohë që, sot kemi mundësi t’ju gjendemi ju dhe çdo familjeje me ndihmat e nevojshme në ushqime dhe veshmbathje.

Vetëm këtë javë janë shpërndarë nga Rezervat e Shtetit dhe nga Emergjencat Civile mbi 42 tonë ushqime për familjet në nevojë. Nuk është aq sa duhet, nuk është aq sa ka nevojë. Por sigurisht është shumë më shumë krahasuar me harresën e viteve të kaluara.

Ju na keni besuar ne. I keni besuar deputetit, kryetarit të bashkisë, kryeministrit, qeverisë. Ne mundohemi t’jua u kthejmë mbrapsht këtë besim duke punuar e duke ju shërbyer juve.

Ndaj ju lutem kuptoni që në këto ditë të vështira mund t’ia bëjmë më të lehtë jetën njëri-tjetrit në qoftë se bëhemi bashkë dhe ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë.  Më besoni dhe ne e dimë shumë mirë që keni shumë më shumë nevojë se kaq. Edhe ne e dimë shumë që gjithçka bëjmë nuk është mjaftueshëm. Ne e dimë që ka familje të izoluara, e dimë që ka familje që janë në vështirësi. E dimë që ka zona që kanë nevojë për akoma më shumë mbështetje. Por kjo qeveri nuk i ka kthyer krahët njerëzve, nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve, nuk i ka lënë në harresë në fatin e tyre.

Jemi të gjithë në këmbë. Është i gjithë shteti në këmbë. Të gjitha burimet njerëzore, të gjitha mjetet që kemi, çdo kapacitet që kemi, i gjithë buxheti që kemi në ndihmë të njerëzve. Nuk bëjmë dot gjithçka. Na duhet që harresën e 25 viteve ta ç’ bëjmë avash- avash, të gjithë bashkë. Po përdorim çdo kapacitet shtetëror, nga Emergjencat Civile deri te helikopterët e ushtrisë, për t’ju gjendur njerëzve.

Na duhet të bëjmë shumë punë në mënyrë që çdo banorë ta ndjejë që shteti është në këmbë dhe është aty për ta ndihmuar. Ndaj kjo është arsyeja pse unë kam ardhur vetë këtu. Është kjo arsyeja pse deputeti është ditë për ditë këtu. Kryetari i Bashkisë është 24 orë në 24 në ndihmë të banorëve.

Është kjo arsyeja që çdo strukturë e shtetit është në punë për të ndihmuar banorët. Ndaj me shumë përulje, më besoni ne po mundohemi të bëjmë maksimumin. Ndjesë për gjithçka nuk bëjmë dot, por ejani t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë. Unë shpresoj shumë në mirëkuptimin tuaj.

/tvklan.al