Një brengë e rëndë e ka nxitur Elionën që t’i drejtohet rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Ajo është motra e madhe në 6 fëmijët e familjes së saj që është përballur me vështirësi të mëdha. Dy prej fëmijëve, Valbona dhe Eraldi kanë lindur me sindromën Down.

Valbona dhe Eraldi jetojnë në Pukë me prindërit dhe mundësitë e tyre kanë qenë gjithnjë të kufizuara. Eliona tregon se ata nuk kanë festuar kurrë diçka, nuk kanë marrë pjesë në aktivitete me shokët edhe pse kanë dëshirë të madhe për jetën, sidomos Valbona që e përshkroi si një person shumë social. Për shkak të gjendjes së Valbonës e Eraldit, Eliona nuk e ka bërë as dasmën e saj.

Eliona: Nuk ka marrë pjesë as në festa familjare, nuk është se ka marrë pjesë asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Eliona: Ne, edhe unë për shembull nuk kemi bërë dasma.

Ardit Gjebrea: S’ke bërë dasmë ti? Pse?

Eliona: Për vetë faktin që unë të gëzoj dhe ato mos të gëzojnë. Nuk ndihem mirë ta bëj një gjë të tillë.

Ardit Gjebrea: Kur nuk gëzojnë ata, nuk gëzon as ti.

Eliona: Jo.

Ardit Gjebrea: Edhe në momentin që ti mendon që nuk ka dasmë për ta, s’mund të kishte as për ty. Më vjen keq.

Eliona: Nuk e kemi përballuar dot, jo. Çdo moment, çdo sekond i ditës është vetëm te ata të dy./tvklan.al