Një nga të mbijetuarat e tërmetit të fuqishëm është edhe motër Mariana, murgesha 32-vjeçare shqiptare, fotografia e së cilës u kthye në një simbol të tragjedisë në Italinë qëndrore dhe bëri xhiron e mediave botërore.

E shtrirë në tokë, me fytyrën e përgjakur dhe me një çehre që shpreh tronditjen dhe dhimbjen në të njejtën kohë. Motër Mariana u fotografua me një telefon në dorë, teksa thërret të afërmit e saj për ndihmë. Në një intervistë për mediat italiane, shqiptarja rrëfen çastet e tmerrit dhe shprehet se u shpëtua nga një engjëll, i cili e mori përkrahu dhe e nxorri nga ndërtesa.

“Erdhi më shpëtoi një djalë, sepse unë bërtisja. Ai erdhi dhe më mori duke ndjekur zërin tim, ndërkohë që po shembej gjithçka. Ishin çaste të tmerrshme, fillimisht nuk po kuptoja çfarë po ndodhte. Kur kishte tronditje futesha poshtë krevatit. Kur pushonin ngrihesha dhe thërrisja për ndihmë.”

32-vjeçarja shqiptare u shtrua në spital dhe është jashtë rrezikut, por ajo që e mundon, jeta e dy motrave të tjera, të cilat ka shumë pak mundësi të kenë shpëtuar.

Tv Klan