Raporti i debitorëve në sektorin e energjisë është përmbysur, duke bërë që ndërmarrjet publike të jenë borxhlinjtë më të mëdhenj të kompanisë së shpërndarjes.

Gjatë vitit 2015-të dhe deri më sot, energjia e papaguar e këtyre institucioneve arrin në 80 milion dollarë.

Entela Çipa, këshilltare për çështjet e energjisë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, thotë se ata të cilët kanë vonesat më të mëdha janë bashkitë dhe ujësjellësit. Por ajo sqaron se për to nuk mund të merren masa drastike, pasi rrezikojnë furnizimin me ujë dhe ndërprerjen e shërbimeve të tjera publike, si ndriçimi, apo funksionimi i shkollave dhe kopshteve.

Për këto institucione është tentuar që të bëhen disa aktmarrëveshje, në mënyrë që të paguhen detyrimet. Po ashtu është çuar edhe një shkresë te dega e thesarit për ngrirjen e fondeve që jep buxheti.

Një javë më parë Këshilli i Ministrave shtyu afatin për task-forcën e energjisë elektrike. Objektivi i ri i saj është që humbjet në rrjetin e energjisë të arrijnë në 25% në fund të 2017-ës. Në fokus do të aksioneve të saj do të jenë bizneset, sidomos ato të cilat ushtrojnë aktivitetin gjatë sezonit të verës në zonat turistike. /Tv Klan