Në 4 vitet e fundit janë zbuluar rreth 60 milione euro transaksione që dyshohet se vijnë nga aktivitetet kriminale, financimi i terrorizmit apo korrupsioni. Deklaratën e bën kryetarja e komisionit të sigurisë Ermonela Felaj e cila shton se mes këtyre transaksioneve janë identifikuar edhe veprime të kryera nga disa gjyqtarë.

“Drejtoria e pastrimit të parave ka bllokuar 60 milionë euro transaksione të cilat dyshohen se vijnë nga aktiviteti kriminal. Është një numër i lartë i verifikuar gjyqtarësh, prokurorësh dhe transaksionet e bëra nga ata dhe familjarët e tyre”.

Sipas Felajt, rastet e dyshimta janë referuar në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda që janë duke kryer hetimet përkatëse.

“Disa raste janë referuar në prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Polici”.

Një grup agjentësh dhe specialistësh të hetimit të Pastrimit të Parave, pjesë e FBI-së pritet të mbërrijnë në Shqipëri nga SHBA-ja, për të ndihmuar në hetimet e mësipërme. Sipas Felajt, pritet që Drejtoria e Hetimit dhe Parandalimit të Pastrimit të Parave, pritet të ketë rol kyç në procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë. 

Tv Klan