avioni

Prokuroria e Krimeve të Rënda shtrin pistën e hetimeve edhe në pasuritë e paluajtshme të anëtarëve të bandës që trafikonte droge me helikopter nga Vlora në Itali. Mësohet se grupi hetimor ka siguruar në rrugë operacionale të dhëna se të arrestuarit në operacionin e koordinuar nga Antimafia e Bolonjës mund t’i kenë investuar të ardhurat në pasuri të patundshme, bare, restorante e hotele në zonën e bregdetit të Vlorës.

Për këtë arsye ka nisur verifikimi pasuror ndaj anëtarëve të rrjetit. Grupi hetimor ka kërkuar informacion në zyrën e tatimeve, hipotekës, angjencive të transfertave dhe bankave të nivelit të dytë, pas dyshimeve se dy familjet e përfshira në trafikun e lëndëve narkotike, Lamaj dhe Zanaj, zotërojnë aksione të pjesshme ose të plota në pasuri të paluajtshme.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar edhe një raport të hollësishëm nga shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme për Vladimir Zanajn, shefin e personelit në Policinë e Vlorës një nga bashkëpunëtorët e rrjetit të trafikut të drogës nga Vlora në Brindisi.

Nëse do të vërtetohet se pasuritë e tyre janë të lidhura me trafikun e drogës, ato të do të sekuestrohen në baze të ligjit antimafia.

Nga të dhënat e Prokurorisë Italiane, familja Lamaj përveç parcelave të mbjella me hashash në fshatin Sevaster të Vlorës dhe në një komunë të Riminit, kryente edhe të tjera aktivitete kriminale në Itali.

Shefi i karabinierisë së Riçones, kapiten Antonio De Lise, thotë se 8 shqiptarët e arrestuar në Itali, rezidentë në Rimini, siguronin të ardhura edhe përmes grabitjeve me arme dhe vjedhjes së shtëpive e vilave.

Grupi prej 14 anëtarësh u godit mëngjesin e 26 gushtit, kur një avion i vogël që përdorej prej tij u kap në Pulja me 130 kilogram marijuanë të ngarkuar në Sevaster të Vlorës. 6 prej tyre u kapën në Vlore dhe 8 në Itali.

Tv Klan