Dy ditë nga ceremonia, që e shpall shenjt Nënë Terezën, mediat ndërkombëtarë po i kushtojnë një hapësirë të veçantë profilit të gruas imcake, që pas gjithë jetës mes të varfërve dhe në varfëri po shkon drejt shenjtërimit, shkruan prestigjiozja britanike Reuters.

Ajo ishte gruaja me ndikimin më të madh në historinë 2 mijë vjeçare të Kishës Katolike thotë Crispian Balmer, në raportimin e tij nga Vatikani.

Pavarësisht kritikave si gjatë jetës dhe pas vdekjes Nënë Tereza është nderuar nga katolikët si një model dhembshurie, që solli lehtësim për të sëmurët në ditët e fundit të jetës së tyre, duke e shtrirë misionin e saj bamirës në çdo vend të botës, nënvizohet në shkrimin e Reuters.

Një tjetër reportazh vjen nga televizioni amerikan CBS. Ai flet për statujën e Nënë Terezës që do të vendoset në “Battery Park” në lagjen Bronx të New York-ut më 4 Shtator, një mënyrë për të nderuar komunitetin shqiptar atje. Disa prej tyre janë bërë edhe pjesë e këtij reportazhi.

Statuja do të qëndrojë në këtë park deri në fund të Shtatorit dhe më pas do të udhëtojë drejt selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /TV KLAN