70% e furrave të bukës nga 1 Maji do të paguajnë 9.5 Lekë/kWh. Deklarata u bë nga Administratori i Furnizuesit të Shërbimit Universal, Algert Luzi, i cili kërkoi që subjektet të denoncojnë çdo rast abuzimi nga ana e punonjësve të OSHEE.

“Ky vendim do të zbatohet i drejtë dhe i rregullt. Për çdo shqetësim, ju lutem na vini në dijeni, do të merren masa të menjëhershme, nuk do të kemi diskriminim mes subjekteve.”

Nënkryetari i Shoqatës së Bukës, Rasim Nela bëri me dije procedurat që do të ndiqen për ato subjekte që tashmë kanë instaluar 2 matës.

“Nuk do të paguash asnjë Lekë, kjo është kosto. Tani specifikisht çdo ambient ka ato karakteristikat e veta. Teknikisht kabullin që ke, bashkoje me kabullin aktual dhe nuk ke për të shtuar asgjë.”

Sipas vendimit të ri të Entit Rregullator të Energjisë, furrat e bukës do të tarifohen me tre fsha në bazë të tipologjisë së biznesit, teksa për biznesin që shet vetëm bukë çmimi do të vijojë të jetë 7.6 Lekë/kWh.

Ndërkohë që për ato ambiente që kanë furra buke, produkte pastiçerie apo dhe produkte të tjera të brumërave, çmimi do të jetë 9.5 lekë/kWh dhe për ato që kanë të përfshirë ekspres, bar dhe kafe, çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.

Tv Klan