Në kuadër të operacionit policor “Safe City 2” janë parandaluar ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë.

Pasi siguruan informacion se një person po transportonte mina me telekomandë nga Lura drejt Rrëshenit, shërbimet e policisë kapën në flagrancë 45-vjeçarin me iniciale A.K., lindur në Thumanë të Krujës.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij tij, Policia gjeti dhe sekuestroi:

 -4 mina me telekomandë te lidhura me aparat celular me lëndë të dyshuara eksplozive;

-3 kallëpe lënde të dyshuar eksplozive me kapsollë dhe fitil;

-3 kapsolla të lidhura me fitil;

-2 kallepë të tjera lënde të dyshuar eksplozive.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrolleve në banesën e vjetër të babait të 45-vjeçarit të arrestuar në Lurë të Dibrës, uniformat blu, gjetën në banesë 2 armë zjarri, lëndë eksplozive si ajo që ishte montuar në minat me telekomandë, 10 ndezësa granatash ofensive/defensive, 10 kapsolla detonatore, dhjetëra metra fitil zjarrpërcjellës, si dhe qindra fishekë luftarak.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Kujtojmë se një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe rreth 3 javë më parë, ku Policia vuri në pranga një 24-vjeçar dhe sekuestroi 2 mina me telekomandë./tvklan.al