Ndaj Donald Trumpit nisi këtë të hënë i pari gjykim penal ndaj tij dhe i vetmi për të cilin pritet të jepet një vendim para zgjedhjeve presidenciale të 5 Nëntorit.

Akuzat lidhen me aktoren e filmave për të rritur me pseudonimin Stormy Daniels. Ai akuzohet se ka fshehur një pagesë prej 130 mijë Dollarësh ndaj saj gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, që i dha atij mandatin e parë si President i Shteteve të Bashkuara.

Trump e pagoi në këmbim të heshtjes së saj, pasi nëse Stormy Daniels e rrëfente publikisht këtë aferë, mund të ndikonte negativisht tek zgjedhësit amerikanë.

Pagesa në këmbim të heshtjes nuk është e jashtëligjshme, por Trump akuzohet se ka shkelur kodin zgjedhor, pasi nuk ka deklaruar detaje të shpenzimeve elektorale duke e kamufluar këtë rast si një pagesë për qëllime ligjore.

Përpara se të hynte për në gjykatë, Trump tha se ky ishte një persekutim politik. Ky gjyq është i pari në historinë amerikane që nis ndaj një presidenti dhe rrezikon të ndikojë në zgjedhjet e Nëntorit, ndonëse Donald Trump e quan një gjueti shtrigash. Në pritje për të nisur, janë edhe 3 gjykime penale ndaj ish-presidentit.

Tv Klan