Lideri populist Peter Pellegrini është zgjedhur president i Sllovakisë. 48 vjeçari mundi me 53% të votave pro-perëndimorin Ivan Korcok, një ish-diplomat karriere. Pellegrini është një aleat i kryeministrit aktual Robert Fico dhe së bashku janë mbështetës të hapur të qëndrimeve pro Rusisë.

Sllovakia kishte qenë një nga aleatët më të vendosur të Ukrainës përpara se Fico të vinte në pushtet në tetor. Ai u zotua për të ndaluar furnizimet për Kievin me rezerva ushtarake të Ushtrisë Sllovake.

Me marrjen edhe të Presidencës, Ukraina tani ka humbur përfundimisht zërin e mbështetjes së saj në një kryeqytet të rëndësishëm të BE-së dhe NATO-s. Fushata e presidentit të ri u bëri jehonë disa prej retorikës miqësore ndaj Moskës.

Ai akuzoi kundërshtarin se do të dërgonte ushtarë sllovakë për të luftuar në Ukrainë, një fuqi kushtetuese që presidenti nuk e ka. Sllovakia i dhuroi një vit më parë Ukrainës të gjithë flotën e saj të avionëve MiG-29 dhe mbështeti pa mëdyshje përpjekjet e Kievit për të mbrojtur territorin e tij.

Edhe qeveria e re sllovake ka kërkuar që t’i jepet fund mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën në mënyrë që të nisë një armëpushim i menjëhershëm dhe të ketë bisedime paqeje me Moskën.

Tv Klan