Intervista e këndshme gjyshe-mbesë mes ish-deputetes së LSI, Nora Malaj dhe mbesës së saj, Soleil, me pyetjet e zgjedhura nga emisioni “Shije Shtëpie” në Tv Klan, vijoi me një ritëm të gjallë. Në radhën e saj për të pyetur gjyshen, Soleil na shoi kuriozitetin si është njohur Nora Malaj me bashkëshortin e saj, Arin. Në rrëfimin e saj, Nora zbuloi se i vetmi rast kur Ari thyen seriozitetin, është me shoqen e tij të ngushtë, Soleil.

Soleil: Si e ke njohur ti nëna Arin?

Nora Malaj: Ej, e di sa e vogël kam qenë unë kur e kam njohur Arin? Ari në fakt ishte shok me një shokun tim që isha në shkollë dhe vinte 1,2,3 herë. Nëna atëherë s’kishte mendje që të njihej me njeri se ishte kohë tjetër, nëna shkonte në bibliotekë, lexonte, ishte te bota e librave se ishte studente dhe mendonte se duhej të mbaronte shkollën, të bëhej mësuese e mirë, të shkonte në një fshat, te ai fshati të kishte një lumë, atje të edukonte fëmijët dhe kështu e mendonte jetën se ishte ende te Tolstoi, te Hygoi, te Dostojevski. Një ditë Ari vjen në leksion dhe më sheh mua se pedagogun tim e kishte shumë shok. Pastaj më thotë ky shoku im: “Do ta takosh një djalë që unë e kam shok?” dhe nëna i thotë “Po, po e takoj” dhe e takoj kështu. Kur e pashë për herë të parë, m’u duk interesant, por jo të thoja “uau”. E vetmja gjë që më pëlqeu ishte biseda me të, se Ari fliste shumë bukur, por ishte shumë i heshtur. E di ti Arin se si bën. Ai vetëm me Soleil i thyen të gjitha rregullat, e ka shoqen e tij të ngushtë dhe i kemi të ndara fushat. Dhe kështu dalëngdalë ne u njohëm me njëri-tjetrin, më mori e më çoi në një vend që quhej “pastiçeri” në atë kohë, tani quhet “ëmbëltore”. Ka qenë diku lart te kati i dytë te Teatri i Operas dhe Baletit, por ju nuk i njihni ato kohërat se tani Tirana ka ndryshuar. Atje hëngrëm një nga ato pastat me çokollatë përsipër, emri s’më vjen ndërmend, një tradicionale.

Ndërkohë në ekran, u shfaqën disa foto të vjetra të Norës me Arin, përfshirë edhe nga dasma e tyre e shumë viteve më parë, nga e cila ajo ndan disa detaje interesante.

Nora Malaj:  Ja ku është Ari kur nëna është martuar aty. Kam qenë nusja e parë që kam vënë kapele dhe kam veshur fustan jeshil.

Katerina Trungu: Jeshil? Jo të bardhë?

Nora Malaj: Po, të bardhë dhe jeshil, por ai ishte shumë i bukur. Dhe jam e lumtur që kam patur fatin më të mirë të jetës sime që gjeta gjysmën time më të mirë, që më ka ndihmuar në të gjithë këtë jetë, që nuk është e thjeshtë, që ka qenë mbështetësi më i mirë, e para, që kemi bërë babi Tanin, që është babi më  i mirë i Soleil dhe djali më i mirë i nëna Norës. E dyta, që kemi mami Stelën, që nuk e kemi bërë ne, por që e kemi gocën tonë dhe që është goca më e mirë në rruzull. Dhe e treta, që kemi një dashuri që quhet Soleil Malaj./tvklan.al