Autoritetet italiane kanë arritur të bllokojnë 120 kilogramë marijuanë dhe kanë shkatërruar një bandë që përbëhej nga shqiptarë, spanjollë dhe marokenë.

Policia italiane ka qenë në pritje të një kamioni, ku sipas informacioneve paraprake brenda kishte lëndë narkotike. Në drejtimin e mjetit ka qenë një spanjoll dhe e shoqëronte një maroken.

Në pritje të tyre në një depo në Ferrara ishin tre shqiptarë. Pasi kanë ndaluar dhe biseduar për disa minuta, ata kanë filluar të shkarkojnë drogën e mbështjellë mirë që ishte fshehur midis arkave të mbushura me mandarina dhe shegë.

Policët ndërhynë dhe arrestuan pesë personat menjëherë pasi përfunduan shkarkimin e drogës.

Sipas mediave, shoferi është munduar të shfajësohet menjëherë duke thënë: “

Nuk dija gjë për drogën, transportoj vetëm fruta”.

Pas një kontrolli në shtëpinë e një prej shqiptarëve, policia arriti të bllokonte gjithashtu edhe disa gramë kokainë të pastër.

Automjeti i mbushur me marijuanë ishte nisur nga Spanja dhe duhej të ndalonte në Ferrara. Pastaj do të ndalonte edhe në disa qytete të tjera italiane, midis tyre edhe në Milano.

/tvklan.al