Pasi anëtarët dhe përfaqësuesit politikë dhanë argumentet e tyre pro dhe kundër për afro 120 minuta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk doli me një vendimmarrje lidhur me kërkesën e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për shtyrjen me disa ditë të afatit të regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.

Por pavarësisht daljes në këtë përfundim, kryetari i KQZ dhe 3 përfaqësuesit e tjerë të propozuar nga mazhoranca e kanë vlerësuar kërkesën e dy partive të majta si një çështje procedurale, e cila nuk cënon procesin zgjedhor.

Kategorike në kundërshtim ishin 3 anëtarët e tjerë që e cilësojnë si antiligjore dhe penalizuese për subjektet e tjera që i kanë respektuar afatet që parashikon Kodi Zgjedhor.

Në kërkesën e firmosur nga Gramoz Ruci dhe Luan Rama, i kërkohej KQZ të lejonte regjistrimet e koalicioneve edhe përtej datës 19 që ishte afati i fundit ligjor, për t’i lënë mundësi opozitës të behet pjesë e procesit zgjedhor.

Tv Klan